Tuesday, November 20, 2012

Mënjanimi i shtatzënisë së padëshiruar tek adoleshentët

Nga Lumturi Merkuri
Specialiste e ISHP

Nëse ju nuk jeni akoma gati të keni një fëmijë ka dy mënyra për ta mënjanuar këtë:

  1. Të mos bësh seks
  2. Të përdorësh kontracepsionin

1- Të mos bësh seks

Mënyra 100% e sigurt për të mos patur një bebe është të mos bëshë kontakt seksual. Kjo quhet abstinencë. Abstinenca është metoda më e sigurt dhe mjaft të rinj në mbarë botën e përdorin këtë mënyrë. Abstinenca ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Për disa kjo do të thotë të mos bësh seks deri në martesë. Për disa të tjerë ka kuptimin të presësh deri sa të gjesh një partner të qëndrushëm me të cilin të ndihesh rehat.

Përpara se të filloni seksin, ju duhet të bindeni me të vërtetë që jeni gati për ta bërë këtë.

Mos u ndjeni nën presionin e të bërit seks, vetëm pse të tjerët e bëjnë këtë!

Ju mund të përdorni “seksin alternativ”- seksin pa penetrim ose lloje të ndryshme të intimitetit seksual si: puthjet, përqafimet, kapja dorë për dorë, kapja tek beli, etj.

Intimiteti seksual është gjithmonë një mundësi.....është falas dhe nuk do mjete apo paisje.

Megjithëse abstinenca është metoda më e mirë, mjaft adoleshentë nuk duan të presin për të bërë seks deri sa ata të jenë gati për ta bërë këtë. Shumë adoleshentë zgjedhin të bëjnë seks për herë të parë gjatë periudhës së adoleshencës. Mjaft vajza megjithëse nuk duan të kenë fëmijë, mbeten shtatzënë. Çdo vit 14 milion vajza adoleshente, 15-19 vjeç në mbarë botën lindin fëmijë. Një pjesë e mirë e tyre kryejnë aborte me pasoja të rënda për jetën.

Prandaj, nëse ju vendosni të bëni seks, përpara se të jeni gati për të patur një bebe, duhet
të përdorni metodat kontracepive.


2-Të përdorësh kontracepsionin

Të përdorësh kontracepsionin do të thotë të përdorësh metodat kontraceptive, që parandalojnë shtatzëninë. Ekzistojnë lloje të ndryshme metodash kontraceptive.

Metodat kontraceptive që përgjithësisht përdoren nga adoleshentët janë: pilulat kontraceptive/ kokrrat, pilula kontraceptive e urgjencës, kontraceptivi me injeksion dhe prezervativi.


A. Pilulat kontraceptive


      
Pilulat, kokrrat, tabletat, kontraceptivët, duhen pirë çdo ditë, pa harruar asnjë kokërr. Nëse ke diarre apo te vjella ato nuk thithen mirë. Në këto raste duhet menduar për metoda të tjera shtesë. Nëse harroni të pini një kokërr, rreziku për shtatzëni varet nga lloji i kokrrës: psh, ato vetëm me progesteron kërkojnë pirjen në të njëjtën orë, çdo ditë.

Nëse harron një kokërr, është mirë të konsultoheni me mjekun sa më shpejt të jetë e mundur, për të mënjanuar mundësinë e një shtatzënie. Në këtë rast mund të jetë i nevojshëm përdorimi i pilulës kontraceptive të urgjencës.

B. Kontraceptivi i urgjencës (Pilula e urgjencës)

Ne të gjithë e dimë se është e rëndësishme të mbrohesh sa herë që bën seks. Mund të ndodhi që për arsye të ndryshme të kryeni nje mardhënie seksuale të pambrojtur si; mospërdorimi i prezervativit, harresa e pilulës, çarja e prezervativit, apo përdhunimi.

Në këto raste ju vjen në ndihmë pilula kontraceptive e urgjencës. Kontraceptivi i urgjencës parandalon një shtatzëni të padëshiruar nëse e merrni atë sa më parë të jetë e mundur brenda 72 orëve mbas një akti seksual të pambrojtur. Sa më shpejt të merret aq më i sigurt është. Prandaj, mos u alarmo, mos u shqetëso, por filloje menjëherë. Kjo do të thotë që ju duhet ta keni pilulën, përpara se të keni nevojë për të. Një planifikim i vogël tani, mund t’u heqë ju ankthin- ndoshta dhe të mënjanojë një shtatzëni të mëvonshme! Dil menjëherë dhe dhe shko blije në farmaci. Mund të merret edhe pa këshillimin e mjekut.

Por, kujdes! Kontraceptivi i urgjencës nuk mund të përdoret rregullisht si metodë e planifikimit familjar, por vetëm në raste urgjence. Prandaj quhet edhe kontraceptivi i urgjencës.

Si përdoret kontraceptivi i urgjencës?


Paketa përmban 2 kokrra kontraceptive. Sa më afër, por jo më vonë se 72 orë mbas një kontakti seksual të pambrojtur, duhet të merrni 1 kokërr, dhe 12 orë mbas pirjes së kokrrës së parë, pihet tjetra. Duke qenë se kontraceptivi i urgjencës ka përmbajtje hormonale në doza të larta, tek disa femra mund të japë:

  • Të përziera-Për këtë sugjerohet të hani, menjëherë mbas marrjes së tabletës.
  • Të vjella-nëse vjell 2 orë mbas marrjes së kontraceptivit të urgjencës, duhet të merrni dozën tjetër
  • Muajin tjetër periodat mund të fillojnë më herët ose të vijnë më vonë.
C. Kontraceptivi me injeksion

Kontraceptivi me injeksion-Depo-provera-gjilpëra- është metodë që siguron mbrojtje për një kohë të gjatë. Përparësia e kësaj metode është se nuk kërkon përdorim ditor. Ajo bëhet 1 herë në 3 muaj. Ndonjëherë mund të ketë vonesë të kthimit të periodave përtej 3 muajve.
D. Prezervativi

Prezervativi është e vetmja metodë që siguron mbrojtje të dyfishtë-të mbron nga shtatzënitë e padëshiruara dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Kjo është metodë e sigurt, pa efekte anësore hormonale, nuk ka nevojë për kujdes specialisti, është e lehtë për ta gjetur në çdo vend, ndërpritet në çdo kohë, përdoret nga çdo moshë dhe është e lehtë për ta mbajtur me vehte.

Kujtohu se prezervativi mbahet në vende të ftohta dhe të thata-temperatura e lartë e dëmton atë. Për këtë arsye nuk duhet blerë tek shitësit ambulantë, apo të mbahen në kroskotin e makinës. Duhet patur kujdes se mund të çahen nga unazat apo thonjtë. Nëse prezervativi çahet duhet menjëherë të lahet penisi dhe vagina me ujë dhe sapun për të pakësuar rrezikun për një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Ndërkohë partnerja duhet të përdorë kontraceptivin e urgjencës.


Cila metodë është më e mira për adoleshentët?
Metoda të ndryshme kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Ju duhet të zgjidhni atë metodë që është më e përshtatshme për ju. Për ta bërë këtë është mirë të shkoni tek mjeku për të vendosur së bashku mbi metodën që ju do të përdorni. Përdorimi i prezervativit është metoda më e mirë sepse siguron mbrojtje të dyfishtë; nga shtatzënia e padëshiruar dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Të gjitha metodat e tjera të mbrojnë vetëm nga shtatzënia.

Ku mund të gjenden metodat kontraceptive?


Sot në Shqipëri metodat kontraceptive si; pilulat, injeksioni, prezervativi edhe spiralja ofrohen FALAS në të gjitha qendrat shëndetësore, qendrën e gruas, qendrat e planifikimit familjar dhe maternitetet e vendit.

Lidhja e Gazetareve te Shendetit
Artikulli u mbeshtet nga Agjencia per Mbrojtjen e Shoqerise Civile.

Nentor 2012

No comments:

Post a Comment