Friday, November 30, 2012

Çfarë është Pap- Testi ?

Pap Testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që të shpëton jetën! 
Pap Testi bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën pap teste të rregullta, mund ta kapi në kohë kancerin e qafës së mitrës, mbasi nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit duhen shumë vjet, rreth 10-20 vjet. 

Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandimet për kryerjen e Pap Testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e Pap Testit çdo 1-3 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet: Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë PapTestin rregullisht!

Cilat janë disa nga masat pas kryerjes së Pap-Testit?

Rreth 2 ditë para kryerjes së Paptestit duhen shmangur dushet vaginale, përdorimi i suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit dedorant vaginal si dhe shmangia e marrëdhënieve seksuale, mbasi të gjitha këto ndikojnë në rezultatin e Pap Testit. Gjithashtu, kryerja e Pap testit bëhet jo në periudhën menstruale por disa ditë larg mensturacioneve.

Përgjigjia merret mbas disa ditësh. Nëse rezultati i PAP Testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe nëse rezultati i PAP Testit është normal, gruaja nuk duhet ta ndërpresë bërjen e Pap- Testit por duhet të vazhdoj rregullisht bërjen e tij. Nëse rezultati i PAP Testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës,  por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze.

Çdo femër duhet ta dijë që Vaksinimi me vaksinën kundër  virusit HPV dhe bërja rregullisht e Pap- Testit parandalojnë gati 90% të rasteve me kancer të qafës së mitrës!


LGSH & AMSHC 


MEDIA BRENDA SHKOLLES - JERONIM DE RADA




Sot informacioni merret nga burime të ndryshme, por tek ne duhet te vijë i duhuri”- kështu u shprehën nxënësit e klasave të nënta të shkollës “Jeronim De Rada”, pas prezantimit të dokumentarit “ Pendese pa kthim” nga Lidhja e Gazetarëve të Shëndetit.


Adoleshentët shfaqin mjaft interes për temat që lidhen me marëdhëniet seksuale e sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Gjatë komunikimit me ta bie në sy lirshmëria në komunikim ndonëse i etiketojnë “tabu” diskutimet e gjera për këto  çështje sidomos me prindërit.



Informacion kemi por gjithsesi këto tema mbeten akoma tabu në vendin tonë. Ne jemi në dijeni të lidhjeve në moshën tonë dhe duam të sillemi sa më kujdesshëm” -thanë nxënësit. Përgjithësisht tentojnë të mos rrëfejnë për historitë e tyre personale.

Ajo që ra në sy gjatë prezantimit të projektit “Media Brenda Shkollës” ishte interesi i tyre për faqet online dhe blogjet cka tregon se informimi më intensiv është me botën e internetit.

Të rinjve të sotëm u vërshon informacioni për gjithçka, por mesazhi më i drejtë që ata përcjellin është se u takon të rriturve të selektojnë atë që vërtet u duhet. Mësuesit e shkollës pranuan se përpiqen t'u përgjigjen të gjitha pyetjeve të tyre, por sensibilizimi është i domosdoshëm edhe nga familja e mjetet e informimit publik .

LGSH & AMSHC

Monday, November 26, 2012

MEDIA BRENDA SHKOLLES - SAMI FRASHERI




Sami Frashëri është shkolla e radhës ku lidhja e gazetarëve të shëndetit prezantoi   
projektin Media Brenda Shkollës, të financuar nga Agjencia për Mbrojtes së 
Shoqërisë Civile.

                                                                                                                                                                                                 

Ka ngjallur pa dyshim kuriozitet dokumentari “Pendesë pa kthim” tek nxënësit e vitit 
të tretë në gjimnazin Sami Frashëri. Edhe ata vetë janë të informuar rreth sëmundjeve 
seksualisht të transmetueshme, si dhe situatës alarmante të abortit.

 


Informacionin e marrin gjithëkund , edhe në shkolla, por shpesh sipas tyre ata nuk I japin rëndësi këtij informacioni kur janë duke përjetuar një lidhje.

Por ajo çka vërejmë është se biseda rreth seksit me prindërit nuk është
më një tabu. Bisedat mes nënave dhe vajzave janë po aq prezente sa ato mes djemeve 
dhe baballarëve.

E megjithatë duket se hyrja në kontakt seksual menjëherë pas 2 muajve të parë të lidhjes 
është bërë një modë mes gjimnazistësh.


Pavarësisht kësaj, dramat e dëgjuara edhe më parë , por veçanërisht të prezantuara nga 
Lidhja e gazetarëve të shëndetit nëpërmjet dokumentarit, Pendesë pa kthim duket se I 
kanë vënë në pikëpyetje këta të rinj nëse duhet apo jo të kryejnë një marrëdhënie seksuale.

Forma e zgjedhur për të sensibilizuar të rinjtë nëpërmjet dokumentarit, fletëpalosjeve dhe revistës, është përshëndetur nga mjekja e shkollës e cila i vlerëson të nevojshme të tilla nisma.






LGSH & AMSHC 

Menarka-Mensturacioni i parë



Trupi i një femre ndryshon nga lindja deri në një moment që ështe gati për tu bërë nënë. Ky moment finalizohet me ardhjen e zakoneve/periodave apo menstruacionet. Kjo mund të jetë një gjë e frikshme por nëse ju jeni të mirëinformuara dhe të përgatitura, mund të lini çdo frikë mënjanë rreth menstruacioneve.

Shpesh në jetën e përditshme ne dëgjojmë të flitet për to me emra të ndryshëm si; “cikli”, “mujoret”, “ato”, “tezet”,  “menset”, ‘krushkat”, etj, por ne e dimë fare mirë që është fjala për periodat.

Emri mjekësor që përdoret për periodat është mensturacion.

Periudha e menstruacionit tuaj të parë është quajtur menarka. Menarka është një stad i rëndësishëm në jetën e një vajze të re të cilën çdo femër e kalon në jetë. Kjo mund të jetë interesante, e frikshme, dhe çdo femër mund ta ndiejë në mënyra të ndryshme kur kjo ndodh. Por sido që të ndiheni, fillimi i mensturacioneve është shënja që ju keni kaluar nga adoleshenca në moshën e gruas. Kjo nuk do të thotë që ju tani jeni me e vjetër por që trupi juaj është tani i përgatitur fizikisht për të patur një fëmijë. Megjithëse shumë njerëz sot, e shohin menarkën si një stad të rëndësishëm në jetën e një vajzë të re.

Ju mund ta vini re si një pikë gjaku në të brendshmet tuaja kur ju shkoni në banjë ose kur ndëroni të brendshmet. Kjo pikë gjaku duket kafe e errët ose e kuqe e shkëlqyshme, kështu që mos u shqetësoni nëse nuk është ngjyra që ju prisnit. Që nga ky moment e tutje ju do të keni një cikël menstrual karakteristik, sipas trupit tuaj.

Çdo grua ka ciklin e vet individual menstrual që zakonisht është nga 21 në 40 ditë. Çdo menstruacion zgjat nga 3 deri 7 ditë. Në fillim mensturacionet mund të mos vinë rregullish çdo muaj dhe kjo mund të zgjasë deri 2 vjet sa të normalizohen mensturacionet.

Mosha e menarkës

Menarka zakonisht ndodh rreth 2 vjet mbas zhvillimit të gjëndrave të gjoksit tek një vajzë dhe 4 deri 6 muaj mbas rritjes së qimeve në regjonin pubik dhe nën sqetull. Mosha e menarkës ndryshon nga një kontinent në tjetrin dhe është rreth 12-13 vjeç. Çdo vit edhe më tepër pjekuria seksuale dhe rrjedhimisht menarka po spostohet drejt moshave më të vogla. Kështu që mos u shqetësoni nëse mensturacionet vinë midis moshës 9-16 vjeç.

Janë shumë faktorë që ndikojnë në moshën e menarkës. Vajza prej vëndeve dhe racave të ndryshme kanë një nivel zhvillimi të ndryshëm. Ju mund të dëgjoni se shoqet tuaja kanë menstruacione dhe ju jo. Ju mund të jeni të shqetësuara se diçka mund të jetë gabim me ju. Qëndroni të sigurta se çdo vajzë zhvillon menstruacionet me rritëm të ndryshëm. Por, nëse ju nuk keni menarkë deri 15-16 vjeç duhet të shkoni tek mjeku për të përcaktuar nëse ka ndonjë problem. Shumë vajza të cilat janë nën peshë ose të nënushqyera, mund të kenë perioda me vonesë.
Shenjat e menarkës

Ju mund të ndjeni disa shënja kur ju vinë periodat tuaja të para. Ju mund të ndiheni të fryra ose nuk ndieheni rehat, mund të keni dhimbje koke të lehta, dhimbje mesi, ose këmbësh për pak orë ose ditë. Shënja më e zakonëshme në ditët e para të periodave është dhimbja e barkut e ngjashme me dhimbjen e stomakut. Në këtë rast mund të merrni një medikament për këto dhimbje. Ju mund të keni ndryshime emocionale përpara mensturacioneve. Mund të ndiheni të tensionuara, të mërzitura të nxehura, për shkak të çlirimit të hormoneve. Mos u mërzitni kalojnë shpejt.

Rite-Zakone lidhur me menarkën

Çdo popull reagon ndaj menarkës në mënyra të ndryshme. Disa kultura e pranojnë menarkën si një moment të rëndësishëm në jetën e vajzave dhe e festojnë atë për të mirëpritur vajzën në botën e moshës së gruas. Disa të tjerë e shohin menarkën vetëm si një ndodhi e parëndësishme në jetën e vajzës.

Historikisht menarka është festuar me rituale të detajuara. Grekët e lashte perzienin drithërat-misër e grurë me gjak menstrual për të festuar ardhjen e mensturacioneve të vajzës. Indianët i mbyllnin brënda vajzat e tyre gjate menarkës duke i mirepritur ato me ceremoni, 5 ditë me vonë, si gra. Sot gjithmonë e më tepër, shumë e më shumë nëna kanë filluar të krijojnë ritualet e tyre të personalizuara për menarkën duke përdorur muzikë, zbukurime, lule, dhe vallzime, për të festuar kalimin e vajzave të tyre nga periudha e vajzërisë në atë të gruas.

Madje ka edhe idera të pazakonta si psh “Muzeu i mensturacioneve”. Në një zone të Amerikës është hapur një muze me një subjekt të pazakontë “Muzeu i menstruacioneve” që i kushtohet ritualeve dhe kulturës së menstruacioneve. Muzeu është i hapur për publikun qysh nga 1994 dhe vizitorët mund të shohin ekspozita që tregojnë histori të veshjeve speciale të menstruacioneve, lines që përdoren gjatë mensturacioneve, të brëndshme, tampone e shumë gjëra të tjera.

 LGSH & AMSHC

Thursday, November 22, 2012

MEDIA BRENDA SHKOLLES TE EMIN DURAKU






 
Ndryshe nga nxënësit e shkollave të mesme,  në arsimin 9-vjeçar  ata janë ende të lidhur me familjen  e shkollën për sa I përket marrjes  së informacionit për metodat kontraceptive dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.  Në këtë konkluzion arritëm pas kontaktit me ta në prezantimin e projektit “Media Brenda Shkollës" i cili po zhvillohet keto dite ne shkollat 9-vjecare dhe te mesme te Tiranes fale mbeshtetjes se Agjencise se Mbrojtjes se Shoqerise Civile.


Nxënësit e klasave te nënta të  shkollës “Emin Duraku” pohuan se lidhjet  sentimentale ne moshen e tyre jane prezente,por  nuk kalojnë në kontakte fizike.  Ata I cilësuan lidhje “eksperimentale” me aq sa u lejon mosha.  Nxënësit u shprehën gjithashtu se kanë frikë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme  dhe kërkojnë vazhdimisht informacion për tu mbrojtur prej tyre.  Pjesa më e madhe e tyre  nuk ishte dakord që të kryheshin marëdhënie në  moshën 13-14 vjeçare. “Jemi akoma të pa rritur mirë dhe na dëmtojnë marëdhëniet seksuale në këtë moshe”,u shprehën nxënësit

Ora e biologjisë është ora edukative ku nxënësit marrin njohuri në lidhje me  metodat e planifikimit familjar, marëdhëniet seksuale apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Nxënësit treguan interes për informacionin që u jepet nga mësuesit. Mënyra të tjera të informimit për sjelljet e rrezikshme të adoleshenteve, nga sa pohuan ata janë  interneti dhe familja.

Pas prezantimit të dokumentarit  “Pendese pa kthim” vetë mësuesit e shkollës I quajtën iniiativa të tilla të nevojshme në mënyrë që informacioni për nxënësit të jetë sa me interaaktiv dhe të ofrohet nga burime të besueshme sic janë gazetarët e specializuar.  Ata u shprehën se  në arsimin 9-vjecare shkolla I jep prioritet edukimit të nxënësve në lidhje me marëdhëniet seksuale dhe tabutë që kanë egzistuar deri tani janë kapërcyer. 

LGSH & AMSHC




Wednesday, November 21, 2012

"Media Brenda Shkolles" te Petro Nini Luarasi






Mardhëniet seksuale nuk janë një tabu për gjimnazistët por informacioni që ata dinë në këtë drejtim jo gjithmonë është I saktë.

Ata preferojnë më shumë t'i drejtohen Internetit apo literaturës për të marrë një përgjigje mbi pyetjet që ngrenë në këtë drejtim, sesa mjekut të shkollës, gjinekologut apo prindit.Me internetin nuk kanë barriera morale dhe ndihen të shpenguar për çdo gjë që duan të dinë.

Këto janë vetëm disa nga konkluzionet që Lidhja e Gazetarëve Të Shëndetit ka konstatuar në projektin “Media Brenda Shkollës” që po zbaton në disa shkolla të kryeqytetit falë mbështetjes financiare të Agjencisë së Mbrojtjes së Shoqërisë Civile.Konkretisht grupi I gazetarëve të shëndetësisë ishte të premten në gjimnazin Petro Nini Luarasi.

Një lidhje sentimentale, përkufizohet Dashuri, dhe vetëm brenda jo më shumë se tre muajsh, kjo lidhje konkretizohet edhe në mardhënie fizike të shpeshta.
Për gjimnazistët ashtu siç egziston dashuria pa mardhënie fizike, ashtu ekziston edhe një mardhënie e tillë pa dashuri.

Aborti nuk është fenomen I panjohur.Ka mes tyre që e kanë provuar atë edhe më shumë se një herë.Rrëfimi I njërës prej vajzave të viteve të treta ne këtë gjimnaz është tronditës. Një shoqja e saj në klasën paralele, vetëm 18 vjeç , ka provuar të abortoj tre herë.

Transmetimi I një dokumentari të titulluar : “Pendesë pa kthim” I përgatitur enkas për këto takime me shkollat ka tërhequr jo vetem vëmendjen e tyre, por ka sjelle diskutime gjithpërfshirëse nga vete ata në lidhje me shume çështje .Dy personazhet kryersor të dokumentarit, një I ri I prekur me Hiv Aids dhe një vajzë e cila ka kryer abort në moshën 15 vjeç, vunë në diskutime nxënësit dhe mjekët e shkollës që asistuan në këtë projekt

Media Brenda shkollës pas Petro Nini Luarasit , stacionin e rradhës do ta ketë tek klasat e 9-ta të shkollës Servete Maçi .Atje një tjetër histori do të tregohet për ju.


LGSH & AMSHC



Tuesday, November 20, 2012

Mënjanimi i shtatzënisë së padëshiruar tek adoleshentët

Nga Lumturi Merkuri
Specialiste e ISHP

Nëse ju nuk jeni akoma gati të keni një fëmijë ka dy mënyra për ta mënjanuar këtë:

  1. Të mos bësh seks
  2. Të përdorësh kontracepsionin

1- Të mos bësh seks

Mënyra 100% e sigurt për të mos patur një bebe është të mos bëshë kontakt seksual. Kjo quhet abstinencë. Abstinenca është metoda më e sigurt dhe mjaft të rinj në mbarë botën e përdorin këtë mënyrë. Abstinenca ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Për disa kjo do të thotë të mos bësh seks deri në martesë. Për disa të tjerë ka kuptimin të presësh deri sa të gjesh një partner të qëndrushëm me të cilin të ndihesh rehat.

Përpara se të filloni seksin, ju duhet të bindeni me të vërtetë që jeni gati për ta bërë këtë.

Mos u ndjeni nën presionin e të bërit seks, vetëm pse të tjerët e bëjnë këtë!

Ju mund të përdorni “seksin alternativ”- seksin pa penetrim ose lloje të ndryshme të intimitetit seksual si: puthjet, përqafimet, kapja dorë për dorë, kapja tek beli, etj.

Intimiteti seksual është gjithmonë një mundësi.....është falas dhe nuk do mjete apo paisje.

Megjithëse abstinenca është metoda më e mirë, mjaft adoleshentë nuk duan të presin për të bërë seks deri sa ata të jenë gati për ta bërë këtë. Shumë adoleshentë zgjedhin të bëjnë seks për herë të parë gjatë periudhës së adoleshencës. Mjaft vajza megjithëse nuk duan të kenë fëmijë, mbeten shtatzënë. Çdo vit 14 milion vajza adoleshente, 15-19 vjeç në mbarë botën lindin fëmijë. Një pjesë e mirë e tyre kryejnë aborte me pasoja të rënda për jetën.

Prandaj, nëse ju vendosni të bëni seks, përpara se të jeni gati për të patur një bebe, duhet
të përdorni metodat kontracepive.


2-Të përdorësh kontracepsionin

Të përdorësh kontracepsionin do të thotë të përdorësh metodat kontraceptive, që parandalojnë shtatzëninë. Ekzistojnë lloje të ndryshme metodash kontraceptive.

Metodat kontraceptive që përgjithësisht përdoren nga adoleshentët janë: pilulat kontraceptive/ kokrrat, pilula kontraceptive e urgjencës, kontraceptivi me injeksion dhe prezervativi.


A. Pilulat kontraceptive


      
Pilulat, kokrrat, tabletat, kontraceptivët, duhen pirë çdo ditë, pa harruar asnjë kokërr. Nëse ke diarre apo te vjella ato nuk thithen mirë. Në këto raste duhet menduar për metoda të tjera shtesë. Nëse harroni të pini një kokërr, rreziku për shtatzëni varet nga lloji i kokrrës: psh, ato vetëm me progesteron kërkojnë pirjen në të njëjtën orë, çdo ditë.

Nëse harron një kokërr, është mirë të konsultoheni me mjekun sa më shpejt të jetë e mundur, për të mënjanuar mundësinë e një shtatzënie. Në këtë rast mund të jetë i nevojshëm përdorimi i pilulës kontraceptive të urgjencës.

B. Kontraceptivi i urgjencës (Pilula e urgjencës)

Ne të gjithë e dimë se është e rëndësishme të mbrohesh sa herë që bën seks. Mund të ndodhi që për arsye të ndryshme të kryeni nje mardhënie seksuale të pambrojtur si; mospërdorimi i prezervativit, harresa e pilulës, çarja e prezervativit, apo përdhunimi.

Në këto raste ju vjen në ndihmë pilula kontraceptive e urgjencës. Kontraceptivi i urgjencës parandalon një shtatzëni të padëshiruar nëse e merrni atë sa më parë të jetë e mundur brenda 72 orëve mbas një akti seksual të pambrojtur. Sa më shpejt të merret aq më i sigurt është. Prandaj, mos u alarmo, mos u shqetëso, por filloje menjëherë. Kjo do të thotë që ju duhet ta keni pilulën, përpara se të keni nevojë për të. Një planifikim i vogël tani, mund t’u heqë ju ankthin- ndoshta dhe të mënjanojë një shtatzëni të mëvonshme! Dil menjëherë dhe dhe shko blije në farmaci. Mund të merret edhe pa këshillimin e mjekut.

Por, kujdes! Kontraceptivi i urgjencës nuk mund të përdoret rregullisht si metodë e planifikimit familjar, por vetëm në raste urgjence. Prandaj quhet edhe kontraceptivi i urgjencës.

Si përdoret kontraceptivi i urgjencës?


Paketa përmban 2 kokrra kontraceptive. Sa më afër, por jo më vonë se 72 orë mbas një kontakti seksual të pambrojtur, duhet të merrni 1 kokërr, dhe 12 orë mbas pirjes së kokrrës së parë, pihet tjetra. Duke qenë se kontraceptivi i urgjencës ka përmbajtje hormonale në doza të larta, tek disa femra mund të japë:

  • Të përziera-Për këtë sugjerohet të hani, menjëherë mbas marrjes së tabletës.
  • Të vjella-nëse vjell 2 orë mbas marrjes së kontraceptivit të urgjencës, duhet të merrni dozën tjetër
  • Muajin tjetër periodat mund të fillojnë më herët ose të vijnë më vonë.
C. Kontraceptivi me injeksion

Kontraceptivi me injeksion-Depo-provera-gjilpëra- është metodë që siguron mbrojtje për një kohë të gjatë. Përparësia e kësaj metode është se nuk kërkon përdorim ditor. Ajo bëhet 1 herë në 3 muaj. Ndonjëherë mund të ketë vonesë të kthimit të periodave përtej 3 muajve.
D. Prezervativi

Prezervativi është e vetmja metodë që siguron mbrojtje të dyfishtë-të mbron nga shtatzënitë e padëshiruara dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Kjo është metodë e sigurt, pa efekte anësore hormonale, nuk ka nevojë për kujdes specialisti, është e lehtë për ta gjetur në çdo vend, ndërpritet në çdo kohë, përdoret nga çdo moshë dhe është e lehtë për ta mbajtur me vehte.

Kujtohu se prezervativi mbahet në vende të ftohta dhe të thata-temperatura e lartë e dëmton atë. Për këtë arsye nuk duhet blerë tek shitësit ambulantë, apo të mbahen në kroskotin e makinës. Duhet patur kujdes se mund të çahen nga unazat apo thonjtë. Nëse prezervativi çahet duhet menjëherë të lahet penisi dhe vagina me ujë dhe sapun për të pakësuar rrezikun për një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Ndërkohë partnerja duhet të përdorë kontraceptivin e urgjencës.


Cila metodë është më e mira për adoleshentët?
Metoda të ndryshme kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Ju duhet të zgjidhni atë metodë që është më e përshtatshme për ju. Për ta bërë këtë është mirë të shkoni tek mjeku për të vendosur së bashku mbi metodën që ju do të përdorni. Përdorimi i prezervativit është metoda më e mirë sepse siguron mbrojtje të dyfishtë; nga shtatzënia e padëshiruar dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Të gjitha metodat e tjera të mbrojnë vetëm nga shtatzënia.

Ku mund të gjenden metodat kontraceptive?


Sot në Shqipëri metodat kontraceptive si; pilulat, injeksioni, prezervativi edhe spiralja ofrohen FALAS në të gjitha qendrat shëndetësore, qendrën e gruas, qendrat e planifikimit familjar dhe maternitetet e vendit.

Lidhja e Gazetareve te Shendetit
Artikulli u mbeshtet nga Agjencia per Mbrojtjen e Shoqerise Civile.

Nentor 2012

Tuesday, November 6, 2012

Bonald Perkola (Boni ), adoleshenti model i Kripmjaltezave : Mardhëniet e pambrojtura seksuale, një hap fals që mund t'u kushtojë rëndë më vonë.

Intervistoi: Sonila Shaho                                           
Kudo sot mund të gjesh një adoleshent i cili të flet për problemet e moshës, komunikimin me prindërit apo edhe të tjera probleme që lidhen, por në rastet kur ai është një adoleshent i njohur duket sikur gjithsecili nga ju e njeh atë.

Behët fjalë për Bonin e“Kripmjaltëzave”,ai të cilin e kemi njohur në shumë aktivitete kulturore, e kemi parë në reklama, spote publicitare apo koncerte dhe së fundmi në ekranin e Vizion Plus , ku ai po shfaqet në formatin më të ri televiziv për adoleshentë: “Fresk Fare” , nje prodhim i platformës "Tring" drejtuar nga Leonard Bombaj dhe aktorët e rinj.

Dhe sot, jo rastësisht Bonin e kemi zgjedhur të flasë për ju, pasi si një adoleshent, edhe ai përballet me të papriturat e moshës.



1- A bisedoni me prindërit, ju dhe bashkëmoshatarët tuaj. Cilat janë bisedat që zhvilloni dhe flisni?

-Sigurisht, sidomos me bashkëmoshataret e mi jemi shumë të hapur midis njëri tjetrit saqë nuk e kemi problem të parashtrojmë probleme të ndryshme që kemi.

2- A keni dëgjuar ndonjëherë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe abortin. Nëse po ku keni dëgjuar?

-Po, sepse në shkollë sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe aborti janë çështje që trajtohen me hollësi në tekstet shkollore.

3- A bisedoni me prindërit mbi rreziqet që sjellin sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo aborti tek femrat?
Padyshim sepse prindërit janë gjithmonë të kujdesshëm për sa i përket çështjeve delikate si aborti tek femrat apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Opinionet dhe këshillat e tyre mbi këtë temë asnjëherë nuk kanë munguar.

4-Sa informacion keni ju për sëmundjet seksualisht të transmetueshme?
Informacioni nuk më ka munguar asnjëherë sepse internetin mund ta quash një art më vete të të mbledhurit informacione. Është si një psikolog që e ke kudo nga mbrapa për të të prezantuar me rreziqet që kanosen nga këto sëmundje.

5- Gjatë orëve të mësimit, gjatë zhvillimit të edukatës shëndetësore a janë të lirshëm mësuesit për të komunikuar me ju dhe a kanë informacione të mjaftueshme për t’iu shpjeguar rreziqet që vijnë?

-Personalisht jam shumë i kënaqur nga sjellja e mësuesve në klasë sepse janë seriozë dhe korrekt në atë që përcjellin për ne, asnjëherë nuk anashkalojnë apo tregohen të ndrojtur ndaj problemeve të këtij lloji.

6-Nëse ndonjë nga shokët tuaj ka probleme shëndetësore apo edhe pyetje ku drejtohet dhe cili është personi më i besuar?

-Zakonisht është mirë që të drejtohesh tek prindërit në mënyrë që ato të të adresojnë tek mjeku
përkatës por në raste se ndihen keq dhe nuk mund ti shprehen lirshëm ndaj prindërve psikologu i shkollës është mënyra më e mirë për të përballuar ndaj këtyre probleme.

7- Kur mendoni ju se një i ri mund të jetë i gatshëm për të kryer marrëdhënie seksuale.

- Pasi të ketë arritur pjekurinë seksuale, pra mbas moshës 18 vjeç sepse atëherë është më i përgjegjshëm për veprimet që kryen edhe më mirë i informuar për sëmundjet seksualisht të transmetueshme

8- Duke qenë një personazh i njohur për të rinjtë, a keni një mesazh për ta?

-Nuk dua të përcjell mesazhe sepse e di që mosha jonë është një moshë që zor se e bind duke bërë moral, thjesht u them të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëjnë një hap fals që mund tu kushtojë rendë më vonë.

Intervista u realizua nga LGSH, ne kuader te projektit: "Media brenda Shkolles".