Saturday, December 15, 2012

Po rritet ndjeshëm numri i aborteve te moshat e vogla.Duhet të përdoren metodat kontraceptive



“Po rritet ndjeshëm numri i  aborteve te moshat e vogla”




Flet mjekja Rubena Moisiu: Duhet të përdoren metodat kontraceptive

Numri i përgjithshëm i aborteve ka pësuar ulje ndërkohë që janë shtuar rastet tek adoleshentët. Sipas mjekëve gjinekologë, kryerja e një aborti sidomos në moshë të re ka pasoja mjaft të rënda për shëndetin. Në intervistën e saj për  gazetën, drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu tregon cilat janë këto pasoja  dhe pse ka rëndësi sensibilizimi për metodat kontraceptive e këshillimi me mjekët.

Sa problem është aborti sot në vendin tonë ?

Unë mund t’ju flas në bazë të shifrave dhe më pas në bazë të atyre që ne mund të marrim vesh më mbrapa, pra pasi kryet procedura. Përsa u përket shifrave, ne kemi një numër më të ulët për 2011 krahasuar me 2010. Ndërpreje vullnetare për vitin 2011 janë vetëm 405 si numër, pra aborte nga 0-12 javë e shtatëzanisë, ajo çka është legale dhe që mund ta kryejë  çdo grua me dëshirën e saj, kjo sigurisht nuk ka vlerë për minorenët  se për moshën nën 18 vjeç duhet konsensusi i prindit, ose i tutorit  për ata që nuk jetojnë me familjen. Kështu që si numër është mjaft  më i ulët  dhe ka  qenë diku tek 620 për vitin 2010. Kemi një rënie të numrit të aborteve. Mbase unë e konsideroj si një nga sukseset e planifikimit familjar pasi aborti nuk duhet të konsiderohet  si metode e planifikimit familjar, është dështim i planifikimit familjar por jo metodë. Por që mund të ketë edhe shumë arsye të tjera për uljen e numrit të aborteve  të cilat unë nuk mund t’i di me siguri. Mund të jetë edhe një numër i madh klinikash private të hapura të licencuara për të kryer aborte dhe mbase për arsye privatësie shumë gra mund të shkojnë aty. Ose mund të ketë një ulje në total të numrit të aborteve në gjithë Shqipërinë, unë këtë nuk e di, siç ka edhe ulje të numrit të lindjeve. Kjo është e ditur statistikisht që është gati gjysmë për gjysmë numri i lindjeve në krahasim me 10 vjet më parë.

Cilat janë shkaqet që  çojnë në kryerjen e një aborti?

Në bazë të ligjit atyre nuk ju kërkohet të tregojnë shkakun, nuk janë fare të detyruara të tregojnë shkakun thjesht vijnë këtu  me dëshirën për të kryer një procedurë. Kur paguajnë një faturë karshi shtetit është  e përcaktuar  saktë dhe fikse  dhe nuk janë të detyra të tregojnë shkakun. Ne kemi luksin të kemi psikologe në institucionin tonë, e cila merr kontakte  me to pas kryerjes së procedurës, përpara zakonisht nuk ka dëshirë të flasë asnjëra, dhe më pas mund të thonë ndonjë arsye. Rezulton që arsyeja kryesore është ajo ekonomike, që do të thotë kanë dy tre ose me shumë fëmijë dhe nuk dëshirojnë të kenë fëmijë të tjerë dhe arsyeja e dytë janë lidhjet jashtëmartesore.

Cila është mosha më  e vogël që ka abortuar në maternitetin tuaj?

Tek ne mosha më e ulët ka qenë 14 vjeç, por bën përshtypje fakti që megjithë rënien në total të numrit të aborteve , përqindja e aborteve që zë  grupmosha 14-18 vjeç ka ardhur në rritje , mund të them që zë rreth 8 % të numrit në total të aborteve , kjo shifër ka qenë shumë e ulët më parë tek 2 apo 3%. Pra ka një rritje të përqindjes që zë  në volumin total. Nuk është se është një numër shumë i artë por progresivisht po vjen në rritje nga viti në vit.

Duke qenë se kemi nëj rritje të numrit ët adoleshentëve që kryejnë abort, cili është apeli juaj?

Në ditët e sotme ka shumë mënyra për të marrë informacion lidhur me metodat që bëjnë të mundur parandalimin e një shtatëzanie të padëshirur. Sot të rinjtë po të hyjnë në internet  kanë informacion të saktë, edhe nëpër shkolla bëhet edukatë seksuale, pra ata kanë mundësi për të marrë informacionin, kanë akses për ti arritur metodat, sepse çdo lloj metode që ata mund të preferojnë është lehtësisht e gjendur në farmaci apo maternitete, ndaj unë do t’ju këshilloja të marrin sa më shumë informacion por asnjëherë të mos vendosin vetë për metodën që do të zgjedhin, gjithmonë metoda duhet zgjedhur  në bashkëpunim dhe në këshillim me mjekun obstetër gjinekolog dhe jo thjeshtë në kokën e tyre sepse na ka ndodhur shpesh që  kanë nisur një metodë kontraceptive le të themi  me kokën e tyre pa u këshilluar me mjekun dhe  më pas kanë ndodhur gabime ose dështim të metodës kontraceptive deri në shtatzëni  sepse nuk janë këshilluar me mjekun.


Cilat janë pasojat e një aborti?

Nuk po ju hy dëmtimeve psikologjike pasi edhe ana psikologjike është mjaft ndikuese në këto raste, shumë nga këto vajza më tej kanë frike të kryejnë marrëdhënie  sepse kanë frikë nga një shtazani tjetër e padëshiruar, marrin edhe një farë fobie nga gjinia e kundërt dhe e përjetojnë atë abort mjaft keq. Por dua t’u hyj pasojave mjekësor që lë aborti dhe sidomos aborti i parë dhe sidomos kur bëhet në një moshë mjaft të re kur akoma pjekuria e organizmit nuk ka arritur  kulimin  e saj  fillojnë që nga infeksionet e lehta, të cilat janë mbase lehtësisht të kurueshme, por që këto infeksionet e lehta nëse nuk kurohen mund të kalojnë deri në infeksion të tubave, mund të kalojnë deri në  faktin që kjo vajzë mund të mos jetë në gjendje më të riprodhojë atëherë kur ajo do të të dojë fëmijë, dhe kjo vetëm për  hir të infeksionit ë marrë nga një abort. Dhe ajo çka është akoma më e rëndë  mund të ndodhi gjatë kryerjes së procedurës një komplikacion që ne e quajmë perforacion por që e thënë shqip është shpim i hapësirës së mitrës, është një komplikacion që njihet fatmirësisht ndodh rrallë por mund të ndodh dhe ka raste të cilat kanë përfunduar në heqjen e mitrës pas këtij komplikacioni që do të thotë ti thotë lamtumirë përgjithmonë mundësisë për tu bërë nënë. 


Lidhja e Gazetareve te Shendetit & Agjencia Per Mbrojtjen e Shoqerise Civile

Friday, December 14, 2012

MEDIA BRENDA SHKOLLES "OLSI LASKO" SHKOZET , DURRES


Lidhja e Gazetareve te Shendetit me mbeshtetjen e AMSHC-se ( Agjencise per mbrojtjen e Shoqerise Civile) ne shkollen Olsia Lasko ne Shkozet, Durres, me projektin "Media Brenda Shkolles" per ndegjegjesimin e te rinjve ne lidhje me semundjet seksualisht te transmetueshme, HIV/AIDS dhe Abortin.


LGSH & AMSHC 

Tuesday, December 11, 2012



Seksualiteti i adoleshentëve, gabim i  prindërve shmangia e komunikimit.


Flet psikologia Lira Gjika: Infeksionet seksualisht të transmetueshme si epidemia e gripit

Mosha e marrëdhënieve seksuale është ulur,ndërkohë që në familjet shqiptare nuk flitet shumë për seksin. Prindërit evitojnë tema të tilla. Roli i shkollës është akoma e më i vogël. Përballë kësaj situate sot kemi të rinj me informacion dhe edukim të cunguar mbi edukatën seksuale. Studimet dëshmojnë se abortet dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme në këto mosha janë në rritje. Po çfarë duhet të bëjnë prindërit dhe e gjithë shoqëria për të zbutur këto fenomene. Në intervistën e saj psikologia tregon ku duhet ndërhyrë.

Mosha e marrëdhënieve seksuale të adoleshentët është ulur. .Ju jeni marrë me psikologjinë e fëmijeve. Cfarë duhet të bëjmë ? Cili duhet te jete roli i prindërve sot ?

Është një problem jo i ri. Ndryshimi është që sot flitet dhe njerëzit janë bërë të ndërgjegjshëm  se ka ardhur koha ti mbrojnë fëmijët e tyre. Se me të vërtet një njeri, kur arrin pjekurinë seksuale është i rritur për natyrën, por nuk është i rritur për njerëzoren, për njeriun. Ai duhet të vazhdojë të rritet. Të merresh vetëm me sferën seksuale do të thotë të jetosh në boshllëk.  Dhe ne duhet ta shmangim këtë duke i treguar fëmijës adoleshentit që ka edhe më për ty rritur, ka edhe më për të zbuluar, ka edhe më për të arritur.  Madje gjithë jetës  njeriu ka me tepër për të zbuluar te vetja. Ideja është të mos i bllokojmë fëmijët te ky problem. Një 12 vjeçar është fëmijë por nuk është i vogël, është i rritur. Prindërit duhet të ndërgjegjësohen që nuk janë përgjegjësitë e një fëmijë të vogël që mendon për seks. Një nënë që ka vajzën e saj 14 vjeç duhet të mendojë që asaj i shkon mendja si të realizojë këtë ngacmim që është aq i fuqishëm. Një adoleshent, është i eksituar dhe nuk di si ta menaxhojë këtë eksitim. Nuk e ka të ndërtuar. E ka një masë pa kufij. Për ta ruajtur të mos humbë cilësi apo të mos konsumohet rrugës duhet patur kujdes. Nga ana tjetër duhet patur kujdes për sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe akoma për një problem më të madh që është marrëdhënie me më të mëdhenj se vete. E them këtë sepse është në traditën tonë që vajza 15 vjeçe martoheshin me burra të mëdhenj. Burrat e mëdhenj shohin për vajza të gogla për të mos folur për pedofilinë. Të tilla marrëdhënie pengojnë rritjen, pasi jepen eksperienca të gatshme që nuk lejojnë të njohësh veten. Seksualiteti është shumë i rëndësishëm. Sepse është njohja e parë e njeriut që kur vijmë në këtë jetë. Nuk të njeh njeri nuk të di njeri fytyrën, nuk të di emrin. Të dinë gjininë ,prandaj është shumë e thellë tek njeriu . Pastaj është ajo që është e natyrës, pa këtë ndarje pa këtë dyshe nuk do te kishte riprodhim,  nuk do të  kishte vazhdimësi të jetës. Këtu qëndron kujdesi i të rriturve. Të mos kenë frikë ti ndihmojnë fëmijët që të rriten. Të mos bëjnë atë pyetjen e tmerrshme “PSE” që nuk ka asnjë lloj përgjigje që vetëm shton ndjenjën e fajit, shton konfuzitetin. Por ti thonë: Ka ndodhur kjo? Hajde ta zgjidhim. Po fillon intimiteti. Ti rekomandojnë një mjeku gjinekolog që ti mësojë si të mbrohet. Nuk ka kurajë prindi si t’ja thotë ta çojë te specialisti.  Ata mund t’i tregojnë si të mbrohet jo vetëm për sëmundjet seksualisht të transmetueshme por edhe për shtatëzanitë për ta nisur në kohën e duhur.

Çfarë ndodh me një fëmijë të kësaj moshe? Si mund të ndihmohet konkretisht?

Fëmija sa do i ndërgjegjësuar të jetë  është duke u rritur .Ai duhet ndihmuar të përballojë veten, këtë eksitim të fuqishëm që është brenda natyre. Ai duhet ndihmuar. Është detyrë e të rriturve,nuk është detyrë e fëmijës. Natyrisht  një fëmijë 12 –13 vjeç e ka mendjen aty sepse aq I rritur është .Ai ka filluar te eksitohet ai ka filluar të ndillet. Është në natyrë ndjellja .Natyrisht nga ndjellja duhet ta shpëtojmë. Prandaj them është detyre e te rriturit, është e shkollës është mësuesve e familjes qe ka përballe një adoleshent, jo ta shohë si një objekt të këndshëm për ta shijuar. I shikojmë në rrugë si shihen vajzat por shihen edhe djemtë. Madje djemtë shihen nga të dy sekset. Dhe ky është një problem qe nuk flitet pra është tabu. Dhe gjerat për të cilat nuk flitet janë të frikshme. Ndërsa kur thuhet gjëja, domethënë, njerëzit e mendojnë dhe fillon një farë kontrolli tek vetja,Mos jam dhe unë kështu. Në më këtë mënyrë merren përgjegjësi. Edhe nënat nganjëherë me djemtë nuk e kuptojnë veten. Nuk dinë të kontrollojnë veten. Bën pjesë në edukimin. Jo çdo ndjenjë që provon duhet provuar. Njeriu duhet të zgjedhë. Këtu ndryshon nga kafshët madje edhe ato dinë të zgjedhin. 

Në  lidhje me infeksionet seksualisht të trasnmetueshme ne e kemi përmirësuar survejancën, pavarësisht mbikëqyrjes këto sëmundje janë shtuar mund të na jepni mendimin tuaj pse ndodh kjo?

Kjo ndodh për shumë arsye ;  një nga arsyet është mungesa e informacionit tek të rinjtë. Natyrisht në studimet e fundit që ISHP ka kryer,studimin demografik rezulton që mosha e marrëdhënieve seksuale ka filluar të ulet. Diçka e tillë duhet të na verë në alarm dhe duhet të shtojmë të gjitha mënyrat e komun8ikimit me të rinjtë në lidhje me infeksionet seksualisht të transmetueshme. Unë mendoj që ne nuk bëjmë aq sa duhet në lidhje me mjetet e komunikimit në lidhje me këto sëmundje. Sepse në aktualisht në marrëdhëniet tona të komunikimit nuk përdorim ato mjete sociale që të rinjtë përdorin. Që nga facebooku apo rrjete të tjera sociale. Pra ne jemi pak më të varfër në këtë drejtim. Rinia dhe teknologjia ecin në një shkallë më të lartë kurse informacioni i përcjellë në lidhje me shëndetin ecën në shkallë më të ulët. Pra unë mendoj që ne duhet të rrisim mjetet e komunikimit. Duk shtuar komunikimin me ta edhe sensibilizimi bëhet më i madh. 

Meqë jemi te komunikimi çfarë duhet tu themi te rinjve sot?

Ne duhet ti themi të rinjve që të kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Duket një gjë shumë e thjeshtë,por që nuk zbatohet nga të rinjtë. Natyrisht kërkon shumë punë që fillon që nga shkollat dhe deri tek mjekët apo specialistët e shëndetit publik. Në duhet të punojmë me mjekët e familjes sepse ata hyjnë në shtëpi dhe merren me të gjithë familjen, natyrisht edhe me adoleshentët. Shëndeti i adoleshentëve duhet të jetë një nga prioritetet sepse ata janë e ardhmja e vendit. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme lidhen jo vetëm me shëndetin e të rinjve,por edhe me shëndetin e të porsalindurve japin infeksione dëmtime kongenitale pra kalon brez pas brezi si të thuash. Nëse do të marrim shifrat për të gjithë gripin në sezonin e tij në të gjithë vitin aq kemi një numër të barabartë me sëmundjet seksualisht të transmetueshme që ne i quajmë epidemi e bardhë. Pra infeksione që nuk bihen në sy, nuk shkaktojnë boom si gripi. Janë infeksione nëse do te marrim shifrat për të gjithë gripin në sezonin e tij, në të gjithë vitin të shtrirë kemi një numër të barabartë me sëmundjet e IST infeksionet seksualisht të transmetueshme ne i quajmë epidemi e bardhë, pra infeksione qe nuk bien ne sy, nuk shkaktojnë boom si gripi,janë infeksione të fshehura por janë aty, prandaj ne duhet te flasim vazhdimisht për to dhe te  rrisim ndërgjegjësimin .


Saturday, December 8, 2012

MEDIA BRENDA SHKOLLES - TVSH





Lidhja e Gazetareve te Shendetit prezantojne ne TVSH projektin: 

"Media Brenda Shkolles" mbeshtetur nga AGJENCIA PER MBROJTJEN E SHOQERISE CIVILE



E ftuar ne studio Brunilda Cami Hazisi, gazetare e Tv Klan, perfaqesuese e Lidhjes se 

Gazetareve te Shendetit.



LGSH & AMSHC & TVSH 

Friday, December 7, 2012

MEDIA BRENDA SHKOLLES - "IBRAHIM RUGOVA" KAMEZ






Projekti  “Media Brenda Shkollës” e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit ishte fundjaven e Kaluar  në Kamëz në  shkollën 9-vjeçare Ibrahim Rugova. Nxënësit përvec se u informuan me shkrimet e botimit të parë të Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit , ndoqën me shumë interes edhe dokumentarin “Pendesë…Pa Kthim..!” dy materiale mediatike këto, të përgatitura falë mbështetjes së Agjencisë së Mbrojtjes së Shoqërisë Civile.

Pas dokumentarit nxënësit e shkollës Ibrahim Rugova, folën për maredheniet sentimentale mes tyre, për raportet fizike që kane lindur dhe menyrat se si i marrin informacionet mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme.Ata pohojne se lidhjet sentimentale jane të shkurtra dhe raportet fizike vijnë shumë shpejt.

Në këto intervista ata thone se i referohen Internetit për të mësuar më shumë mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme, bisedojne pak me prindërit dhe kanë lidhje emcionale me bashkëmoshatarët e tyre.

LGSH & AMSHC  

MEDIA BRENDA SHKOLLES- "SERVETE MAÇI" TIRANE






Projekti   “Media Brenda Shkollës” e Lidhjes së Gazetarëve të Shëndetit shkoi në shkollën 9-vjeçare Servete Maçi . Nxënësit ndoqën me shumë interes dokumentarin “Pendesë…Pa Kthim..!” që  gazetarët e shëndetësisë kanë përgatitur falë mbështetjes së Agjencisë së Mbrojtjes së Shoqërisë Civile, I cili 

I bë shkak për hapjen e tyre ndaj intervistave që u dhanë gazetarëve.
Në këto intervista ndihet zëri I tyre I brëndshëm, lirshmëria e  të menduarit të shprehurit pa barrier e pa paragjykime.

Ata I referohen Internetit për të mësuar më shumë mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme, bisedojne pak me prindërit dhe kanë lidhje emcionale me bashkëmoshatarët e tyre.

LGSH & AMSHC

MEDIA BRENDA SHKOLLES-JERONIM DE RADA TIRANE


“Sot informacioni merret nga burime të ndryshme,  por tek ne duhet te vijë i duhuri”. Kështu u shprehën nxënësit e klasave të nënta të  shkollës “Jeronim De Rada”, pas prezantimit të dokumentarit “ Pendese pa kthim” nga Lidhja e Gazetarëve të Shëndetit.

Adoleshentët shfaqin mjaft interes për temat që lidhen me marëdhëniet seksuale e sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Gjatë komunikimit me ta bie në sy  lirshmëria në komunikim ndonëse i etiketojnë “tabu” diskutimet e gjera për këto ccështje sidomos me prindërit.

“ Informacion kemi por gjithsesi këto tema mbeten akoma tabu në vendin tonë. Ne jemi në dijeni të lidhjeve në moshën tonë dhe duam të sillemi sa më kujdesshëm”,thanë nxënësit. Përgjithësisht tentojnë të mos rrëfejnë për historitë e tyre personale.

Ajo që ra në sy gjatë prezantimit  të projektit “Media Brenda Shkollës” ishte interesi i tyre për faqet online dhe blogjet cka tregon se informimi më intensiv është me botën e internetit.

Të rinjve të sotëm u vërshon informacioni për gjithçka, por mesazhi më i drejtë që ata përcjellin është se u takon të rriturve të selektojnë atë që vërtet u duhet. Mësuesit e shkollës pranuan se përpiqen tu përgjigjen të gjitha pyetjeve të tyre, por sensibilizimi është i domosdoshëm edhe nga familja e mjetet e informimit publik  .


LGSH & AMSHC

ISHP VLERESON PROJEKTIN "MEDIA BRENDA SHKOLLES" TE GAZETAREVE TE SHENDETESISE


Projekti “Media Benda Shkollës” I gazetarëve të shëndetësisë për rritjen e ndergjegjësimit tek të rinjtë në lidhje me metodat kontraceptive, abortin dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme merr vlerësime nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.Dritan Ulqinaku, shef e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP:

-“Kjo është një inisiativë për tu përgëzuar dhe një punë e tillë duhet mbështetur që të vashdoje gjithmonë. Ju përgëzoj jo vetëm për këto aktivitete por edhe për këtë botimshumë cilësor. Puna juaj është ndërgjegjësimi dhe kjo është pjesë e zgjidhjes së probleme që sot janë bërë emergjente”.

Z. Ulqinaku preku edhe një çështjet e lidhura më HIV-AIDS në Shqipëri, në kuadër të të dhënave që u referuan ditën ndërkombëtare kundër Hiv/Aids . Të dhënat më të fundit që u përcollën ishin : rritja e numrit të rasteve të reja, me 70 të tille këtë vit, rritja e dukshme infeksioneve seksualisht të transmetueshme si dhe niveli I ndërgjegjësimit tek të rinjtë.


Lidhja e Gazetareve te Shendetesise & AMSHC

Saturday, December 1, 2012

Infeksionet Seksualisht Te Transmetueshme & Ndergjegjesimi



Zbulohen 70 raste të reja me virusin HIV. Në total, në të gjithë vendin, numri i të prekurve arrin në 550 veta. Të dhënat u publikuan në prag të Ditës ndërkombëtare kundër AIDS. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ngriti dje alarmin edhe për shtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, sidomos te të rinjtë. Klamidia, një prej më të rëndëve, ka prevalencë deri në 5.6%. 

Kjo është evidentuar pas survejancës në popullatë. “Prania e IST (infeksioneve seksualisht te transmetueshme) dhe sidomos klamidias lehtëson transmetimin e mëtejshëm seksual të HIV, ndonëse Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët”, tha Tavo. Sipas Tavos, një indikator mjaft i rëndësishëm për vlerësimin e peshës specifike qe zë HIV/AIDS, mbetet numri i testimeve vullnetare për HIV. 

Në krahasim me vitin e kaluar, është regjistruar një shtim i lehtë i personave që paraqiten vetë në qendrat e këshillimit për të kryer analizat. “Rreth 2137 testime vullnetare janë kryer në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar në Tiranë dhe në të gjitha prefekturat e vendit, shifër kjo që ka pësuar një rritje te lehtë në krahasim me vitin e kaluar”, tha Tavo. Ai nënvizoi se fuqizimi i këtyre qendrave duhet të jetë një proces në vazhdimësi dhe ato duhet të ofrojnë shërbimet e tyre në të gjitha komunitetet që i përkasin gjeografikisht. 

Në spitalin “Nënë Tereza” aktualisht trajtohen me retrovirale 222 pacientë pranë QSUT. Nga sa bëri me dije ministri i Shëndetësisë, në vendin tonë, pavarësisht prevalencës akoma të ulët dhe numrit te ulët të fëmijëve HIV pozitiv, ata përbëjnë një problem shëndetësor dhe shoqëror të rëndësishëm.  

Ndërkohë nga monitorimi që gazetarë të Shëndetësisë kanë bërë në shkolla ka rezultuar se të rinjtë pavarësisht informacionit, neglizhojnë përdorimin e metodave kontraceptive kur perjetojne nje lidhje.


Lidhja e Gazetareve Te Shendetit